SHBA një mik i palëkundur i Republikës së Kosovës
New York, 24 gusht - Përfaqësuesi i SHBA në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori David Pressman, e ka quajtur Amerikën një mik të palëkundur dhe mbështetës të Republikës së Kosovës.
Ai ka përgëzuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për kalimin amendamentit kushtetues dhe ligjin për të krijuar Gjykatën Speciale, duke nënvizuar se votimi nuk ishte i lehtë politikisht, por ishte një hap i madh përpara në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Kosovës.
Kosova kurrë më pjesë e Serbisë
I pajisur me kredon politike të partisë që ishte kyç i votimit për themelimin e Gjykatës Speciale, zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i kosovës, Hashim Thaçi, duke e shikuar drejt në sy homologun Ivica Daçiq i tha atij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se Kosova më kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë dhe Serbia kurrë më nuk do të kthehet në Kosovë.
Ishte kjo përgjigja e Thaçit ndaj një diskutimi nacionalist që evokonte periudhën kur diplomati i tashëm Daçiq ishte zëdhënës i partisë në pushtet të regjimit serb, shefi i së cilës do të fajësohej dhe akuzohej për krime dhe nisjen e tri luftërave dhe shkaktimin e qindra mijëra viktimave në territorin e ish Jugosllavisë, për të gjetur më vonë vdekjen i vetmuar dhe i urryer në një qoshe të dhomës së burgut në Hagë.
Duhet kompromis mbi çështjet ende pezull
Duke aluduar në fjalimin e Daçiqit, në diskutimin e tij edhe ambasadori amerikan tha se duhet të marrë fund lloji i retorikës nacionaliste që e dëgjuam sot në Këshillin e Sigurimit.
Ai shtoi se duhet shtrënguar duart e pajtimit midis Serbisë dhe Kosovës dhe se në dialogun e deritashëm në Bruksel po shënohej progres edhepse, tha ai, toni i diskutimit të sotëm nuk e vërtetoi këtë.
Ne presim një rezultat pozitiv në raundin e ardhshëm të dialogut më 25 gusht. Kompromisi mbi këto çështje, ndonëse i vështirë, mbetet thelbësor për avancimin e aspiratave të Kosovës dhe Serbisë për integrimin e mëtejmë në institucionet evropiane dhe transatlantike, tha Pressman.
Çështjet për të cilat duhej kompromisi sipas ambasadorit amerikan ishin asociacioni i komunave serbe, energjia, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë në urën e Mitrovicës.
/rtk/