SHBA kërkon gjetjen dhe dënimin e vrasësve të vëllezërve Bytyçi
Beograd, 10 maj - Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara që deri më sot askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999 dhe e fton qeverinë serbe që pa vonesë ti vërë përgjegjësit para drejtësisë, i është thënë agjencisë Beta në Ambasadën Amerikane në Beograd pas shfajësimit të të pandehurve në këtë rast.
Vendimi i sotëm, në gjykimin e përsëritur kundër dy të akuzuarve se kanë dërguar vëllezërit Bytyçi në një kamp në Serbinë Lindore, ku edhe janë vrarë, tregon se ata që kanë ndihmuar dhe kryer këto vrasje, ende nuk janë arrestuar dhe sjanë sjellë para drejtësisë, ka thënë një zyrtarë i Ambasadës amerikane në Beorgrad, raporton Radio Evropa e Lirë.
Presim që autoritetet serbe pa vonesa tjera të sjellin para gjyqit të gjithë individët të të gjitha niveleve, që janë përgjegjës për këto vdekje. Ky mbetet prioritet i lartë në marrëdhëniet tona dypalëshe, citohet të ketë thënë zyrtari i Ambasadës Amerikane.
Vëllezërit Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçi në Serbi janë kapur si robër të luftës, derisa kanë bërë përpjekje, që tia shpëtojnë jetën një familjeje rome nga Kosova dhe siç thuhet janë ekzekutuar pa gjykimin e duhur.
Dhoma për krime lufte e Gjykatës së Lartë në Beograd ka shfajësuar sërish Sreten Popovicin dhe Millosh Stojanoviqin, nga akuzat se kanë ndihmuar në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999.
Duke e arsyetuar aktgjykimin, kryetari i panelit, Ratko Popovic, ka thënë se gjatë përsëritjes së procedimeve, nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë ndihmuar personat X në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Më herët, prokuroria, pat thënë se për veprën penale, për të cilën akuzoheshin pjesëtarët e ministrisë së brendshme, parashihej dënimi prej së paku pesë vitesh burg. Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë për shfajësim të Popovicit dhe Stojanoviq.