SHBA-ja mbetet e angazhuar ndaj NATO-s dhe lidhjes transatlantike
Bruksel, 31 janar - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca dhe administrata e re amerikane pajtohen për nevojën e dialogut me Rusinë \"nga një pozicion i forcës\".
Stoltenberg tha të martën se në një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, \"ata të gjithë kanë përcjellë mesazhin e njëjtë se SHBA-ja mbetet e angazhuar ndaj NATO-s dhe lidhjes transatlantike\".
\"Mesazhi i administratës së re është se edhe ajo do dialog me Rusinë, por nga një pozicion i forcës\", shtoi Stoltenberg.
Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014.
Trump, i cili ka marrë detyrën më 20 janar, ka thënë se dëshirëon të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë dhe ka shqetësuar Evropën duke e quajtur NATO-n \"organizatë të vjetëruar\".