SHBA e BE kërkojnë që dialogu Kosovë - Serbi të vazhdojë
Bruksel, 17 janar - Derisa Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve, Prishtinës dhe Beogradit, që të tregohen të vetëpërmbajtura dhe ti kthehen dialogut për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, SHBA-ja thotë se e respekton të drejtën e Republikës së Kosovës për ti mbrojtur kufijtë e saj.
Megjithatë, dialogu mbetet opsioni i vetëm, shkruan sot, gazeta Zëri.
Zhvillimet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti tensionimet e fundit të situatës pas ndalimit të trenit serb që të futet në Kosovë, ka bërë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët.
Derisa BE-ja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që ta vazhdojnë dialogun, SHBA-ja e respekton të drejtën e Republikës së Kosovës për ti mbrojtur kufijtë e saj. Ndërsa të dyja palët kërkojnë që dialogu të vazhdojë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
E angazhuar nga afër në këtë proces është edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.
Sipas zyrtares për Informim të BE-së, Maja Kocijançiq, Mogherini dhe stafi i saj kanë ndjekur me vëmendje situatën e fundit që është krijuar në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka bërë të ditur se të dyja vendeve u është bërë thirrje për vetëpërmbajtje.
Mogherini dhe ekipi i saj janë duke ndjekur nga afër zhvillimet në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë ditëve të fundit, duke përfshirë edhe ato gjatë fundjavës. BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët mbi ngjarjet e fundit, ka thënë Kocijançiq për gazetën Zëri, duke shtuar se BE-ja u bën thirrje të dyja palëve të tregohen të vetëpërmbajtura dhe të arsyeshme dhe të kthehen në dialog, ka shtuar ajo.
Më tutje Kocijançiq i ka thënë Zërit se Bashkimi Evropian ka përcjellë edhe situatën e krijuar me arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt. Sipas saj, kjo çështje tashmë është ekskluzive e autoriteteve franceze.
/Zëri/