Serwer: Beogradi jeton në fantazi
Washington, 24 dhjetor - Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se platforma e Beogradit për Kosovën tregon se autoritetet serbe vazhdojnë të jetojnë në fantazi.
Fantazia më e madhe në këtë platformë është se Kosova mbetet krahinë autonome e Serbisë dhe se Serbia do të ketë sovranitet mbi Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë sepse nuk është aspak realiste, ka thënë Serwer për Radion Evropa e Lirë.
Ai po ashtu i ka hedhur poshtë komentet e Beogradit se me platformën në fjalë, Serbia ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës.
Jo, nuk pajtohem me këto vlerësime, sepse mendoj se kjo, pa më të voglin dyshim, është plan për ndarjen e Kosovës. Autoritetet në Beograd bëjnë sikur po u përgjigjen kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për largimin e institucioneve të paligjshme serbe nga Kosova, por në fakt këto institucione vetëm se i legalizojnë.
Ato po ashtu propozojnë që me komunitetin serb në Kosovë, në asnjë mënyrë, të mos udhëheqin institucionet e Prishtinës, por ato të Beogradit. Andaj, platforma bashkon komunitetin dhe në këtë mënyrë krijon ndarjen, ka thënë Serwer.
E ashtuquajtura platformë për Kosovën, që ka propozuar Beogradi ditë më parë, kërkon vetëqeverisje për serbët që jetojnë në Kosovë.
Autoritetet në Prishtinë e kanë kundërshtuar fuqishëm atë dhe kanë premtuar se nuk do të lejojnë që të gjejë zbatim.