Serbia nuk guxon ta bllokojë Kosovën
Beograd, 3 shkurt - Dialogu me Kosovën është i ndërlidhur me procesin e përafrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian. Ajo që kërkohet prej saj është angazhimi i vazhdueshëm drejt përmirësimit të prekshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën.
Ky proces duhet të sigurojë që të dy palët mund të vazhdojnë rrugën e vet drejt BE-së, duke shmangur që të bllokojnë njëra tjetrën në këto përpjekje.
Kështu i ka deklaruar të përditshmes së Beogradit, V.Novosti, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, David McAllister, duke iu përgjigjur në pyetjen nëse Beogradi në fund të rrugës për në BE megjithatë do të jetë i detyruar të njohë, siç e cilëson në shkrimin e saj kjo gazetë, shtetin e rremë të Kosovës.
Raporti i tij mbi përparimin e Serbisë në euro-integrime do të jetë sot para deputetëve në Strasburg.
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, duke iu përgjigjur interesimit të Novostit rreth presionit ndaj pesë shteteve të BE-së që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë gjë, citohet të ketë thënë:
Projektrezoluta mbi Kosovën, të hartuar nga Ulrike Lunaçek, thekson se pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe shpreh bindjen se njohjet e mëtejshme do ta forconin stabilitetin në rajon. Mirëpo, vendimi për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur është kompetencë ekskluzive e vendeve anëtare, ka thënë McAllister.