Serbia me polici shtesë në kufi me Kosovë
Beograd, 14 maj - Mediat serbe, pa ndërprerë vazhdojnë të shkruajnë për rastin e Kumanovës, duke i fajësuar shqiptarët dhe quajtur terroristë.
Ata shkojnë aq larg, sa thonë se posedojnë informacione se shqiptarët terroristë, kanë në plan që të të sulmojnë gjithë Ballkanin, dhe sipas tyre Kumanova ka qenë nisja e realizimit të këtij plani, transmeton Zëri.
Duke iu referuar Kosovës, disa media serbe, thonë se rreziku nga sulmet e shqiptarëve terroristë vazhdon të jetë akoma i lartë në jug të Serbisë, prandaj Ministria e Brendshme e Serbisë (MUP), këto ditë ka ngritur kapacitetet e saj në kufi me Kosovë.
Sipas tyre, MUP-i serb ka dërguar përforcime shtesë në kufijtë me Kosovë, që serbët i quajnë vija administrore.
Përforcimet janë aty, që të përdoren në rast se shqiptarët terroristë tentojnë të hyjnë në Serbi, shkruajnë më tej ato.