Serbia dhe Rusia i ankohen OKB-së për Kosovën
New York, 30 shtator - Misioni i Serbisë në Kombet e Bashkuara, në konsultim me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i ka dërguar notë proteste OKB-së për shkak të pranisë së përfaqësuesve të Kosovës në konferencën për luftën kundër terrorizmit, raportojnë mediat serbe.
Kjo konferencë është organizuar të martën nga Shtetet e Bashkuara dhe është udhëhequr nga presidenti Barack Obama.
Atje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.
I dërguari i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, ka reaguar po ashtu ndaj pranisë së përfaqësuesve kosovarë.
Ata janë ulur në sallë së bashku me përfaqësuesit e vendeve anëtare të OKB-së. Kjo nuk është në rregull. Kjo është kundër rregullave të OKB-së, ka thënë Churkin.