Serbia arreston 79 persona për korrupsion
Beograd, 26 dhjetor - Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka bërë të ditur se forcat policore serbe kanë arrestuar 79 persona në një aksion kundër korrupsionit.
Sipas tij, në mesin e të arrestuarve janë një ish-ministër, dy ish-zëvendësministra, disa kryetarë dhe ish-kryetarë komunash, disa drejtorë të kompanive publike dhe disa biznesmenë.
Stefanoviq ka thënë se të gjithë ata janë arrestuar nën dyshimet se në vitin 2004 kanë kryer disa vepra penale, me të cilat kanë dëmtuar shtetin për më shumë se 100 milionë euro.
Ai ka shtuar se aksioni është kryer me qëllim parandalimin e krimit financiar dhe të korrupsionit.
Mediat serbe e kanë vlerësuar këtë si aksionin më të madh kundër korrupsionit në Serbi.