Serbët e Kosovës duan të bëhen rusë, Moska sdo luftë me NATO-n
Moskë, 15 nëntor - Shtypi rus paralajmëron çështjen delikate të kërkesave të mbi 20 mijë serbëve të Kosovës për të marrë nënshtetësinë e Rusisë.
Nëse serbët e Kosovës do të merrnin nënshtetësinë ruse, kjo do të provokonte një konflikt të Rusisë me NAT0-n dhe do të përkeqësonte marrëdhëniet e Moskës dhe Beogradit, shkruan gazeta \"Komersant\", e cituar nga mediat serbe.
Kjo gazetë citon këshilltarin e Ambasadës ruse Oleg Buldakov, i cili thotë se disa mijëra njerëz i kanë dërguar një letër Dumës ruse, me të cilën kërkojnë nënshtetësinë e Rusisë, transmeton QIK-u.
Gazeta thekson se Dumës i janë drejtuar shoqata të nd yshme të serbëve të Kosovës dhe se lutjen për nënshtetësinë e kanë nënshkruar 21 mijë njerëz, por thekson se letra ende nuk ka arritur në Dumën e Shtetit.
Zëvendëshefi i Komitetit të Politikës së Jashtme Andrej Klimov i ka thënë gazetës në fjalë se \"këtë letër nuk e ka parë\", ndërsa gazeta shton se kërkesa e serbëve të Kosovë mund edhe të mos zgjidhet.
\"Duma e Shtetit nuk jep nënshtetësinë, por që një lutje e tillë të realizohet, nevojitet të ndryshohet ligji\", ka thënë Klimov.
Sipas fjalëve të tij \"precedentët e tillë mund të jenë të rrezikshëm\", dhe se nevojitet një \"reagim i vemendshëm\", ndërsa \"hapat e ashpër tani me siguri nuk janë të domosdoshëm\", ka thënë Klimov.