Rusia po i ndëshkon vendet me aspirata evropiane
Berlin, 7 dhjetor - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të Evropës Lindore, që synojnë lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për gazetën Die Welt am Sonntag të publikuar sot, zonja Merkel tha se Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, kanë marrë vendime për nënshkrimin e marrëveshjeve të asocimit me BE-në, por Rusia po krijon probleme për tri vendet.
Në këtë kuadër ajo ka theksuar konfliktet e ngrira në rajonet separatiste, siç është Transdnistria në Moldavi, Abhazia dhe Osetia Jugore në Gjeorgji dhe ndërhyrja e Rusisë në pjesën lindore të Ukrainës.
Kancelarja Angela Merkel, po ashtu, e ka akuzuar Moskën se po përpiqet ta zgjeroj ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë vendet atje të varura ekonomikisht dhe politikisht nga Rusia.(REL)