Rusia kryen serish sulme ajrore në Siri
Moskë, 12 tetor - Rusia njoftoi se janë goditur 63 objektiva, prej të cilave 53 u shkatërruan në zonën malore Tal Skik, të provincës Idlib, e cila ka qenë nën kontrollin e rebelëve që luftojnë kundër forcave siriane.
Rusia vazhdoi ti përkufizojë objektivat e goditur si rebelë të Shtetit Islamik. Në realitet, shumica e këtyre pozicioneve nuk mbaheshin nga ky grupim, por nga fraksione që luftojnë kundër qeverisë së Assadit.
Gjatë një interviste për televizionin shtetëror rus, Presidenti Vladimir Putin mbrojti ndërhyrjen ushtarake të Moskës në Siri, duke thënë se synohet stabilizimi i qeverisë së Damaskut dhe hapja e rrugës drejt një kompromisi politik.
Zoti Putin tha se kur një divizion terroristësh ndërkombëtarë janë të vendosur pranë kryeqytetit, qeveria siriane ka pak dëshirë për të negociuar, madje ndjehet e rrethuar brenda vetë kryeqytetit të saj.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri njoftoi se ka zhvilluar 24 sulme të reja ajrore ndaj ISIS-it në të dyja këto vende.
Zëdhënësi rus Igor Konashenkov i tha dje gazetarëve se Rusia i shtoi sulmet ajrore për shkak të rritjes së konsiderueshme të objektivave tokësore të pikasura nga mbikqyrja ajrore dhe satelitore.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të mbrojtjes amerikane dhe ruse kanë zhvilluar tele-konferenca në përpjekje për të krijuar zona të sigurta operacionale për forcat e shumta ajrore në hapësirën ajrore të Sirisë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Peter Cook, i përkufizoi bisedimet si profesionale dhe të fokusuara në proçedurat e sigurisë ajrore. Ministria ruse e Mbrojtjes përdori një gjuhë të ngjashme për të përshkruar bisedimet.
Përveç avionëve sirianë dhe rusë që po kryejnë sulme ajrore në Siri, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr zhvillimin e sulmeve ajrore nga një koalicion vendesh të përbërë prej Australisë, Kanadasë, Francës, Jordanisë, Britanisë dhe Hollandës.
Ndërsa në Irak, ku Shtetit Islamik zotëron territore të gjera, një tjetër koalicion i udhëhequr nga SHBA përbëhet nga Australia, Bahreini, Kanadaja, Franca, Jordania, Arabia Saudite, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas Pentagonit, gjatë fushatës në Irak të udhëhequr nga SHBA janë kryer 4700 sulme ajrore që në muajin gusht 2014, ndërsa në Siri janë kryer mbi 2600 sulme ajrore.