Rusia kërcënon Danimarkën me sulme
Moskë, 23 mars - Rusia ka kërcënuar se do të sulmojë luftanijet daneze me raketa bërthamore nëse Kopenhaga i bashkohet sistemit të mbrojtjes raketore të NATO-s.
Ambasadori rus në Danimarkë, Mikhail Vanin, i ka thënë gazetës daneze Jyllands-Posten se bashkimi me sistemin raketor është kërcënim për Rusinë. Ministri i Jashtëm danez, Martin Lidegaard, ka thënë se deklaratat e Vaninit janë të papranueshme dhe se Rusia e di mirë se mbrojtja raketore e NATO-s nuk është kundër saj. NATO-ja ka thënë se mburoja raketore ka për qëllim mbrojten nga vendet si Irani.
Në këtë projekt, rolin më të madh janë duke e luajtur Polonia dhe Rumania. Ndaj deklaratave të ambasadorit rus në Kopenhagë ka reaguar edhe NATO-ja. Zëdhënësja Oana Lungescu ka thënë se ato nuk i kontribuojnë paqes ose stabilitetit.(REL)