Rusia, kërcënim për rendin botëror
Washington, 8 nëntor - Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, e ka akuzuar Rusinë për rrezikim të rendit botëror, duke i theksuar inkursionet në Ukrainë dhe qëndrimin për armatimin atomik.
Carter tha se Rusia po ndërmerr aktivitete sfiduese në det, ajër, gjithësi dhe Internet.
Ai theksoi se udhëheqja e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara po i shqyrton mënyrat kreative për ta zmbrapsur Rusinë agresive dhe për ti mbrojtur aleatët e Shteteve të Bashkuara.
Këto komente ai i bëri mbrëmë vonë në Librarinë presidenciale Ronald Reagan në Kaliforni, pas kthimit nga turneu tetëditësh nëpër Azi.
Më shqetësuese është se kërcënimi i Moskës me armatim atomik, e shtron çështjen e përkushtimit të liderëve rusë për stabilitetin strategjik, respektin e tyre për normat kundër përdorimit të armatimit bërthamor dhe nëse ata e respektojnë kujdesin e madh të liderëve të viteve atomike, që e kanë treguar lidhur me vringëllimin e aramtimit atomik, tha Ashton Carter.
Zoti Carter, po ashtu, ka shprehur shqetësim për zgjerimin e ndikimit të Kinës dhe rritjes së kapacitetit ushtarak. Por, fjalë më të fuqishme ai ka përdorë kur është shprehur për Rusinë.
Zoti Carter i ka theksuar disa shtylla të rendit ndërkombëtar, për të cilat ai tha se do të mbrohen dhe fuqizohen: zgjidhja paqësore e kontesteve, liri nga detyrimi, respekt për sovranitet shtetëror dhe liri të navigacionit.