Rusia do tu përgjigjet veprimeve anti-ruse të vendeve evropiane
Moskë, 21 qershor - Sergei Ivanov shefi i zyrës së presidencës ruse tha se Moska do tu përgjigjet veprimeve anti-ruse të vendeve evropiane.
Reagimi i tij erdhi për shkak të sekuestrimit të aseteve shtetërore ruse në Belgjikë, lëvizje kjo që pasoi një vendim gjykate mbi firmën e falimentuar të naftës Yukos.
Ambasadorit belg në Moskë iu tha se, marrja e aseteve ishte një akt i hapur armiqësor, i cili shkel në mënyrë të hapur standardet e njohura të ligjit ndërkombëtar.
Vitin e kaluar, Gjykata e Arbitrazhit në Hagë i kërkoi Moskës ti paguante 50 miliardë dollarë kompensime aksionarëve të Yukos-it pas rrënimit të tij.
Gjigantin e naftës e mori një firmë shtetërore ruse. Por në Hagë, korrikun e kaluar u tha se, zyrtarët rusë e kishin manipuluar sistemin ligjor për ta shtyrë Yukos-in drejt falimentimit, e për ta çuar në burg bosin e tij, oligarkun Mikhail Khodorkovsky.
Edhe Franca ka bllokuar llogari shtetërore ruse në gati 40 banka, e ka sekuestruar 8 apo 9 godina.