Rreziqet e imigrimit të paligjshëm
Kronika në vazhdim na njeh me rastin e një imigranti i cili pësoi lëndime të rënda dhe një tjetri i cili është zhdukur.
Ricardo Reyes, një nxënës 16-vjeçar nga Hondurasi, humbi këmbën në përpjekjet për të imigruar në Shtetet e Bashkuara.
Tetë vjeçari Jonquil Ramirez Ramos u zhduk gjatë udhëtimit për në Amerikë.
Janë dy rrëfime që mund të shërbejnë si paralajmërim për rreziqet me të cilat imigrantët e rinj përballen kur bëjnë udhëtime të vështira dhe të gjata përmes Meksikës deri në kufirin amerikan, shpesh pa ushqim dhe gjithmonë duke u fshehur nga autoritetet.
Ricardo Reyes e mori rrugën i vetëm, me shpresën se pas arritjes në Amerikë do të punonte për të ndihmuar familjen.
\"Shkova sepse doja të ndihmoja babanë, doja ta nxirrja familjen nga varfëria, të riparoja shtëpinë\", tregon Ricardo.
Ricardo Reyes thotë se aksidenti ndodhi në Meksikë kur ai u përpoq të hipte mbi një tren mallrash në lëvizje. Treni i njohur me emrin \"bisha\" është përdorur nga mijëra emigrantë. Ricardo humbi ekuilibrin, ra dhe këmba e tij u kap nën rrotat e trenit.
Familja Ramos i dha pesë mijë dollarë kontrabandistëve për ta ribashkuar tetë vjeçarin me nënën e tij e cila jetonte si një punonjëse pa dokumente në Majami. Halla e tij Yamileth Ramirez thotë se që atëherë ata nuk kanë dëgjuar ndonjë lajm prej tij.
\"Është e frikshme që ata e bëjnë udhëtimin të vetëm pasi nganjëherë, ne nuk e dimë se çfarë mund tu ketë ndodhur. Nuk dimë asgjë\".
Nëna e Ricardos, Inginia Reyes Martinez, u trondit nga lajmi për aksidentin, por tani atë e ngushëllon fakti që i biri është përsëri në shtëpi.
\"Unë e nxis atë që të vazhdojë jetën dhe nuk duhet të ndihet ndryshe. Ai duhet të ndihet si të tjerët, të jetë ashtu siç ishte më parë\".
Ricardo Reyes shpreson se të tjerët do të mësojnë nga ajo që i ndodhi atij.
\"Nuk do tia rekomandoja askujt këtë sepse rruga është shumë e vështirë. Ata të fusin në tren dhe autoritetet e imigracionit të ndjekin këmba këmbës. Nuk është aspak lehtë\".
Duke reflektuar mbi përvojën e tij, ai thotë se përpjekjet për të shkuar në Amerikë nuk ia vlejnë për shkak të rrezikut nga plagosja, grabitja, arrestimi apo më keq.