Rreth 4 milionë sirianë kanë ndjerë pasojat e luftës
Damask, 10 dhjetor - Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë për të trajtuar krizën e refugjatëve sirianë.
Miliona sirianë kanë kaluar kufijtë, dhe vetëm një pjese të vogël i është dhënë azil nga vende përtej rajonit. OKB-ja po organizon një konferencë për këtë çështje.
Rreth 4 milionë sirianë, ose një e pesta e popullsisë, kanë ndjerë pasojat e luftës civile gjatë tre viteve të fundit.
Shumica jetojnë në varfëri në vendet fqinje, thotë Sherif Elsayed-Ali i Amnesty International.
95% e tyre, rreth 3.8 milionë, ndodhen në pesë vende, në Turqi, Liban, Jordani, Irak dhe Egjipt.
Rreth 150 mijë refugjatë sirianë kanë mbërritur në Bashkimin Evropian. Shumë prej tyre kanë udhëtuar me varka të rrënuara përmes Mesdheut. Mendohet se dhjetëra mijëra janë mbytur.
Evropa po përballon një pjesë shumë të vogël krahasuar me vendet fqinje të Sirisë, thotë Sheri Elsayed-Ali.
Po ky numër njerëzish mbërritën në Turqi në më pak se 10 ditë, gjatë muajit shtator. Turqia po strehon 1.5 milionë njerëz, dmth dhjetë herë më shumë në një vend të vetëm.
Pjesa tjetër e botës u ka ofruar strehë vetëm dy përqind të refugjatëve sirianë. Shtetet e Bashkuara kanë bërë një ofertë të pakufizuar për rehabilitimin e refugjatëve sirianë.
Shtetet e Bashkuara kanë një proçes shumë të gjatë të kontrollit të personave përpara rivendosjes dhe kjo ka qenë një pengesë. Po të shikosh tjetërkund, si Rusia, Japonia, Kina nuk ka asgjë, zero. Nuk kanë ofruar të pranojnë as edhe një person të vetëm. E njëjta situatë është edhe me vendet e Gjirit.
OKB-ja do të organizojë një konferencë të martën me qëllim bindjen e më shumë vendeve që të pranojnë refugjatë. Amnesty shprehet se ka shembuj të mirë: Gjermania ka pranuar rreth 46 mijë azilkërkues sirianë, dhe ka premtuar edhe për rreth 30 mijë të tjerë. Suedia gjithashtu ka pranuar të njëjtat nivele.
Në një konferencë të mbajtur së fundmi në Gjermani, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar.
Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e vendeve në rajon. Është përgjegjësi e të gjithë komunitetit ndërkombëtar.
Shumë vende perëndimore, përfshirë Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, janë duke dhënë qindra miliona dollarë. Por, muajin e kaluar OKB-së iu desh të pezullonte ndihmat në ushqime për 1.7 milionë refugjatë sirianë, duke fajësuar premtimet e pambajtura.
Nazha Nazha u largua nga Homs, i Sirisë, dhe tani banon në Liban.
Kam dy fëmijë me nevoja të veçanta. Dikur na ndihmonte OKB-ja. Tani është një katastrofë.
OKB-ja ka identifikuar 380 mijë persona në gjendje të dëshpëruar për tu vendosur diku tjetër; shumë prej tyre janë viktima torturash ose përdhunimesh, dhe një pjesë e madhe janë fëmijë.
Delegatët në takimin që do të mbahet ditën e martë pritet të premtojnë se do të ndihmojnë për zhvendosjen e të paktën 5% të refugjatëve sirianë deri në fund të vitit tjetër.