11 Janar 2025

Rompuy: Dialogu është në funksion të frymës evropiane

Prishtinë, 6 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me Presidentin e Këshillit Evropian, zotëri Herman van Rompuy.

Presidentja Jahjaga falënderoi Presidentin Rompuy për mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Bashkimin Evropian për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Ajo theksoi se Kosova ka bërë përparime të theksuara në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si  edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë janë të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji dhe rendi.

Ajo tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi e punës dhe Kosova ka ngritur të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të luftuar këto fenomene negative.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë.

Ajo tha se mbështet dialogun, e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-së që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë,  për normalizimin e marrëdhënieve  dhe për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve. 

Presidentja Jahjaga tha se edhe takimi i Presidentëve të të dyja vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, është në funksion të normalizimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dy shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, zotëri Herman van Rompuy, e përgëzoi Presidenten Jahjaga për rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Ai tha se dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve.

Presidenti Rompuy theksoi se për të gjitha vendet e rajonit perspektiva evropiane është e qartë dhe e hapur dhe ato duhet të punojnë për të ndërtuar ura të bashkëpunimit të ndërsjellë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)