Rogova folëse në NATO talk
Bruksel, 9 mars - Me 8 mars, në selinë e NATO-s në Bruksel u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas, me çrast Igballe Rogova foli si aktiviste e shoqërisë civile, njëkohësisht si anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në NATO.
Ne, aktivistet për të drejtat e grave për paqe besojmë se nuk mund të ketë paqe dhe siguri pa drejtësi, tha znj. Rogova duke folur për situatën e grave të prekura gjatë luftës në Kosovë.
Rogova gjatë rrëfimit të saj për guximin dhe ndryshimin, në mes të tjerash theksoi që është e rëndësishme që përfaqësuesit e delegacioneve të NATO-s të konsultoheshin edhe me gra, jo vetëm me politikanë, sepse sipas saj gratë mund të identifikojnë nevoja dhe prioritete të ndryshme.
Programi u hap me lancimin e regjistrimit për She runs, He runs, We run, një iniciativë që u zhvillua vitin e kaluar në selinë e NATO-s. Ky vrapim solidariteti 13.25 km, që këtë vit do të organizohet me 13 maj, ka për qëllim të nxjerrë në pah rolin e sportit në promovimin e barazisë dhe solidaritetit gjinor, përmes ndërgjegjësimit lidhur me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Gjatë seancës së parë u mbajtën fjalime përshëndetëse nga Ambasadorja Marriët Schuurman, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë; Lt. Kolonel Magdalena Dvorakova, Shefe e Zyrës për Stafin Ndërkombëtar Ushtarak për Këshilltar për Barazi Gjinore në NATO; Tara Nordick, Zyrtare Politikave dhe Diversitetit të Burimeve Njerëzore, Menaxhmenti Ekzekutiv; dhe Anne Rosner, Përkthyese Konferencash në selinë e NATO-s dhe vrapuese e maratonës.
Ju kujtojmë që znj. Rogova, me ftesë të Ambasadores Marriët Schuurman, Përfaqësuese Speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile i NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili është krijuar gjatë vitit 2016. Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në NATO, ka si synim të përfshihet në një dialog më sistematik dhe të rregullt me shoqërinë civile në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, në mënyrë që NATO të ketë mundësinë të përfitojë nga ekspertiza e vlefshme dhe njohuritë që shumë organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë individual kanë zhvilluar në këtë fushë.
Përmes kontributit dhe rekomandimeve nga shoqëria civile, NATO shpreson të rris zbatimin e Politikës mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të cilën 28 Aleatët dhe 27 partnerët e NATO-s e kanë adoptuar në vitin 2014. Krijimi i këtij Paneli gjithashtu është paraparë në Planin e Veprimit të NATO-s për Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSOKB).
Përzgjedhja e Rogovës është bazuar në rekomandimet e marra nga kombet e bashkauara dhe organizatat ndërkombëtare. Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile përbëhet nga dy grupe, Grupi Kryesor i personave të shoqërisë civile që marrin pjesë personalisht dhe Grupi i OJQ-ve ku secila përzgjedh një person për të përfaqësuar atë OJQ në Panel. Rogova është anëtare e Grupit Kryesor. Takimi i parë vjetor i këtij paneli është mbajtur me 17 18 tetor 2016, në Bruksel.