Rikthehen protestat e dhunshme në Greqi
Athinë, 24 maj - Masat shtrënguese dhe marrëveshjet e reja me Trojkën kanë rikthyer në Greqi protestat e dhunshme.
Mijëra persona u mblodhën në sheshin kryesor në Athinë për të kundërshtuar masat shtrënguese ekonomike, negociatat dhe marrëveshjet me kreditorët ndërkombëtarë.
Rreth 40 persona nga turma e inatosur hodhën bomba me benzinë, gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të forcave të policisë.
Ata dogjën gjithashtu edhe një autobus, duke e shkrumbuar plotësisht.
Në përpjekje për të qetësuar situatën, policia iu përgjigj atyre me gaz lotsjellës. Turma ishte mbledhur pranë universitetit politeknik të Athinës.
Athina u përball edhe të shtunën me një protestë paqësore para ambasadës gjermane. Grekët protestuan kundër qëndrimi të ashpër të Gjermanisë në negociatat mes greqisë dhe huadhënësve.
Muajin e kaluar, protestuesit pushtuan ndërtesat publike dhe tentuan të merrnin edhe parlamentin për lirimin e anëtarëve të një grupi marksist.