Reljiq: Emigrimi i kosovarëve ka dhe anët pozitive
Bruksel, 11 shkurt - Shefi i zyrës SWP në Bruksel Dushan Reljiq ka thënë se eksodi masiv nga Kosova ka edhe një dimension pozitiv pasi qënë Bruksel dhe në metropolet e tjera duhet të pranojnë se papunësia dhe mungesa e perspektivës socio-ekonomike janë problemet më të mëdha në rajon dhe se për Kosovën duhet gjetur rregulla shumë të veçanta.
\"Jam i sigurt që tani në BE do të ketë më shumë zëra, që thonë se ende nuk janë pjekur kushtet për heqjen e vizave për kosovarët. Por besoj ky eksod masiv nga Kosova ka edhe një dimension pozitiv.\"
\"Më në fund në Bruksel dhe në metropolet e tjera duhet të pranojnë se papunësia dhe mungesa e perspektivës socio-ekonomike janë problemet më të mëdha në rajon dhe se për Kosovën duhet gjetur rregulla shumë të veçanta\", ka thënë Reljiq.
Ai theksoi me tutje se në vitet e fundit ka theksuar shpesh se si pasojë e rritjes së numrit të popullatës në Kosovë dhe mungesës së perspektivës ekonomike, një proces i tillë është i pashmangshëm.
Kjo siç ka theksuar ai nuk duhet të mohohet dhe nuk duhet të trajtohet si një komplot kundër Kosovës.
\"Kosova për nga madhësia është sa një e treta e Belgjikës. Në tregun e punës në këtë vend vijnë çdo vit rreth 30.000-40.000 punëtorë të rinj. Kaq shumë vende pune nuk mund të hapen, në veçanti jo në një vend të varfër si Kosova.\"
\"Ndaj largimi, emigrimi i rregulluar, është në fakt zgjidhja e vetme e mundshme. Në raportet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën gjithmonë është theksuar se rritja ekonomike në Kosovë është e mundur vetëm për shkak të remitencave të kosovarëve, që jetojnë jashtë vendit.\"
\"Qeveria në Kosovës deri tani nuk e ka hapur fare këtë temë me qarqet perëndimore, nga frika se do të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave, apo nga frika se Kosova mund të paraqitet në perëndim si faktor destabilizimi. Kjo tani nuk vlen më. Ndaj është e domsdoshme një politikë shumë ofensive për të krijuar një bazë të re për rregullimin e emigrimit në mbarë rajonin\", ka deklaruar në fund Reljiq në një intervist për DW.