Reeker ritheksoi vazhdimësinë e përkrahjes së SHBA-ve për Kosovën
Bruksel, 17 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të mbajtjes së takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Baroneshën Ashton, është takuar mbrëmë në Bruksel me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker.
Kryeministri Thaçi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i bindur se ky proces është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të perspektivës së vendit drejt integrimeve euroatlantike.
Nga ana e tij, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker theksoi mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun dhe përgëzoi Kryeministrin Thaçi për përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës dhe për suksesin e arritur në këtë proces të rëndësishëm.
Reeker ritheksoi vazhdimësinë e përkrahjes së palëkundur të SHBA-ve për Kosovën dhe për progresin e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Në takimin e mbrëmshëm në Bruksel, Kryeministri Thaçi shoqërohej nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, koordinatori për dialogun, Blerim Shala dhe nga këshilltari i lartë politik, Bekim Çollaku.