Rama: Vuçiç më premtoi të drejta të barabarta për Preshevën
Preshevë, 12 nëntor - Kryeministri Edi Rama është mirëpritur dje në Pallatin e Kulturës në Preshevë ku dhe mbajti në fjalim. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare theksoi fort mbështetjen për Luginën.
Ndihem thellësisht i privilegjuar, që si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë tju them: Mirë se ju gjeta! Dhe, tju siguroj se unë dhe qeveria jonë nuk do të reshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari, kudo ku ai jeton, - nisi fjalimin e tij kryeministri Rama në Preshevë.
Duke vënë theksin në mënyrë të veçantë tek të rinjtë, Rama tha se me ekipin qeveritar serb në orët e fundit të mbrëmjes të së hënës është firmosur marrëveshja për shkëmbimet e të rinjve por edhe për njohjen reciproke të diplomave.
Kjo do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të marrin studimet, pasi diploma shqiptare është e barazvlefshme me diplomën e marrë në Serbi, - sqaroi kreu i qeverisë shqiptare duke shtuar se pavarësisht vështirësive të kuptueshme dhe ndasive të njohura, është hapur një faqe e re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Në këtë kuadër, ai sqaroi dhe reformën në arsimin shqiptar por garantoi se dera e Shqipërisë është e hapur për çdo të ri që do të studiojë atje. Rama shtoi se qeveria shqiptare e konsideron tashmë si përgjegjësi të saj që të bëjë çmos që ti japë një të ardhme të denjë çdo shqiptari dhe shqiptareje pavarësisht nëse është qytetar Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi e me radhë.
Ndërsa përmendi ato që i cilësoi si brenga të pamerituara për banorët e Luginës, Rama tha se është detyrim kushtetues që qeveria e Shqipërisë dhe cilido qoftë kryeministri i Shqipërisë të mos e harrojë për asnjë moment se liria dhe të drejtat e çdo shqiptari, kudo ku jeton, janë të paprekshme dhe si të tilla duhet ti mbrojë pavarësisht vështirësive.
Nënvizoj me krenari se ne shqiptarët, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e dy shteteve që janë garantë të paqes, stabilitetit dhe të ecurisë demokratike të rajonit, mund të jemi me plot gojën, krenarë për mënyrën sesi respektojmë minoritetet. E, me këtë krenari, por duke u nisur nga vetja, ne kemi të drejtën të kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga të tjerët. Atë që i japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne!, - theksoi kreu i ekzekutivit shqiptar.
Rama informoi se i ka adresuar tashmë kryeministrit serb problemet që kanë banorët e Luginës dhe ka marrë premtimin e tij për zgjidhje. Ska arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, të kenë më pak liri, të kenë më pak të drejta se serbët e veriut të Kosovës, - theksoi fort Rama ndërsa shtoi se I kam kërkuar shprehimisht Kryeministrit të Serbisë që ai personalisht dhe qeveria serbe të angazhohen personalisht për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe spitalore e për ti dhënë fund odisesë së papranueshme të gjithë nënave të reja që për të lindur fëmijët duhet të ikin me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra kilometra larg. E shprehimisht më ka thënë Po. Shpresoj dhe besoj që ta mbajë fjalën se pastaj nuk dua që kur ti them nuk e mbajte fjalën, të thotë është provokim.