Rama: Bashkimi është një gjë e pashmangshme
Tiranë, 18 prill - Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për Sky News Arabia, ka sqaruar edhe njëherë qëndrimin e tij mbi çështjen e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kam thënë që bashkimi është një gjë e pashmangshme dhe besoj se kjo do të ndodhë në Evropë, është shprehur Rama.
Kryeministri i Shqipërisë nga ana tjetër ka përmendur edhe opsionin e dytë. Rruga tjetër është e mundur nëse Evropa nuk ndërhyn në llogaritë strategjike të vendeve të Ballkanit dhe të ndryshojë pamjet e rajonit, tha ai.
Deklarata identike e shprehur nga Rama gjatë një interviste të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi solli reagimin e ndërkombëtarëve dhe të Serbisë.
Thaçi gjatë një vizite në Zagreb, tha se deklarata nuk ishte një kërcënim për BE-në dhe se qëndrimi i Ramës ishte keqinterpretuar. Në asnjë moment nuk është folur për mundësinë e bashkimit kombëtar apo të ndryshimit të kufijve, tha Thaçi duke shtua se bëhet fjalë për ndjekjen e modelit evropian për lëvizjen e lirë.