Qeveria e Kosovës paraqet pranë BE-së raportin e dialogut
Prishtinë, 14 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraqitur pranë Bashkimit Evropian Raportin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit dhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve për periudhën Janar Shtator 2014.
Në këtë Raport të nënshkruar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, njëherësh udhëheqëse e dialogut të Brukselit për procesin e zbatimit, paraqitet vlerësimi i Qeverisë së Kosovës për progresin dhe sfidat e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe Dialogut teknik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ky raport paraqet vlerësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut të Brukselit për periudhën janar-shtator 2014.
Raporti shqyrton të gjitha marrëveshjet e Brukselit të arritura në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe Dialogun teknik në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Zëvendeskryeministrja Edita Tahiria ka theksuar se në periudhën raportuese, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera ishin plotësisht të përkushtuara në Dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, përkundër faktit se ky ka qenë një vit i zgjedhjeve nacionale për ne.
\"Ne kemi qenë veçanërisht të fokusuar në zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit, pasi që ne besojmë se zbatimi është krucial për suksesin e këtij dialogu dhe për progresin për të cilin synon.\"
\"Në fakt, në pranverë të këtij viti janë mbajtur zgjedhjet nacionale edhe në Serbi. Si pasojë, agjendat zgjedhore të të dyja vendeve kanë ngadalësuar dinamikën e dialogut, por ne besojmë se një arsye thelbësore për vonesat është më shumë si mungesë e vullnetit politik të Serbisë për të përmbushur obligimet e zbatimit apo madje edhe duke paraqitur pengesa\", ka theksuar Tahiri.
Në nivelin politik, të kryeministrave dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, z.Ashton, janë mbajtur vetëm disa takime (në janar, shkurt dhe mars), derisa në nivelin e zbatimit negociatat vazhduan gjatë gjithë periudhës raportuese përveç gjatë periudhave zgjedhore.
Kështu sipas saj më shumë rezultate janë arritur në procesin e zbatimit se në zgjidhjen e dallimeve të mbetura sa i përket planeve të zbatimit, duke përfshirë çështjet e drejtësisë dhe çështjet e sigurisë për pjesën e shpërbërjes së të ashtu quajturës \"struktura serbe të mbrojtjes civile\" dhe në hartimin e e planit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Tahiri ka pohuar se ka pasur përparim të dukshëm në funksionimin ligjor dhe integrimin e katër komunave veriore në institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve të suksesshme lokale në nëntor 2013, në përputhje me Ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.
Pas zgjedhjeve, autoritetet e zgjedhura vendore të katër komunave veriore hynë në një proces të qeverisjes ligjore dhe demokratike, të pasuar nga inaugurimi zyrtar dhe miratimi i statuteve komunale, në pajtim me Ligjet e Kosovës siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit.
Ekziston një bashkëpunim në rritje në mes të këtyre autoriteteve lokale dhe të autoriteteve qendrore duke shtyrë përpara agjendën për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës.
\"Kemi kënaqësinë të theksojmë se integrimi i qytetarëve tanë serbë nga komunat veriore në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës është në rrugë të mirë, përderisa Qeveria e Kosovës po vazhdon konsolidimin e sovranitetit, demokracisë, sundimit të ligjit dhe të perspektivës ekonomike në tërë Kosovën për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.\"
\"Ngjashëm, progres i mirë është bërë në çështjet e sigurisë. Mbyllja e strukturave paralele të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pjesën veriore të vendit tonë dhe integrimi i plotë i personelit serb në Policinë e Kosovës, duke përfshirë procesin e gradimit të tyre në bazë të ligjit të Kosovës dhe të Marrëveshjes së Brukselit, ofron cilësi shumë më të mirë të sigurisë për të gjithë\", ka nenvizuar ajo.
Përparim sipas Tahirit është bërë edhe në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e integruar të kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve (IBM), ku është dakorduar dhe nënshkruar marrëveshja për ndërtesa të përhershme për gjashtë pikëkalime kufitare të të IBM-it (shtator 2014).
Është shënuar përparim i madh në çështjet e energjisë, ku më në fund plani i zbatimit për energji është dakorduar dhe nënshkruar nga tri palët, së bashku me marrëveshjen Inter-TSO dhe marrëveshjen operacionale.
\"Ne e konsiderojmë këtë një përparim të madh, sepse pas pothuajse katër vjet të negociatave për çështjet e energjisë, më në fund janë arritur marrëveshja dhe plani i zbatimit (respektivisht vitin e kaluar dhe këtë shtator).\"
\"Kështu kapitulli i bashkëpunimit në çështjet e energjisë në mes të dy shteteve ka filluar ndërsa operatorët ilegal serb do të largohen për të lejuar normalizimin e situatës së energjisë në pjesën veriore të Kosovës. Bashkëpunimi në fushën e energjisë mes të dyja shteteve do të kontribuojë edhe për stabilitetin energjetik në rajon, bazuar në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke i dhënë fund shkeljes së këtij Traktati nga ana e Serbisë në raport me Kosovën\", ka pohuar Tahiri
Lidhur me çështjet e telekomit, është bërë një progres i mirë, megjithatë plani i veprimit mbetet ende për t\'u finalizuar.
Ajo ka theksuar së është bërë progres i mirë në mbledhjen e të hyrave doganore në pikëkalimet kufitare veriore, si dhe në krijimin e Fondit për Zhvillim i cili tashmë ka mbi 3 milion euro.
\"Kështu me këtë hap, ne kemi pasur sukses jo vetëm në vendosjen e sundimit të ligjit në këtë fushë, që mungonte për një kohë të gjatë, por gjithashtu edhe në ofrimin e investimeve zhvillimore shtesë në veri, për të cilat ne mbetemi të angazhuar.\"
Qeveria e Kosovës konsideron se Bashkimi Evropian ka luajtur një rol substancial në lehtësimin dhe përshpejtimin e këtij progresi. Ka arritur të tejkalojë çfarëdo barriere të çfarëdo natyre politike apo teknike, duke përfshirë mungesën e vullnetit të Serbisë për të bashkëpunuar, duke ndjekur një rol proaktiv në komunikimin e qartë të lidhjes midis detyrimeve të palëve nga dialogu i Brukselit dhe perspektivës së tyre evropiane. Përveç kësaj zyrtarët e BE-së kanë realizuar bisedime të drejtpërdrejta të shumta dypalëshe përmes vizitave në Beograd dhe/ose përmes komunikimit elektronik dhe videokonferencave /VTC. P
o ashtu, kontributi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Qeverisë së SHBA-ve ka qenë substancial në arritjen e progresit në terren në të gjitha fushat, dhe veçanërisht në funksionimin ligjor të komunave veriore.