Prokurori Schwendiman i inkurajuar me miratimin e Speciales
Bruksel, 4 gusht - Prokurori udhëheqës i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian, David Schwendiman, është shprehur i inkurajuar me miratimin e legjislacionit për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime të Luftës në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës i miratoi Amandamentet kushtetuese dhe Ligjin që e shtron rrugën për themelimin e Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special, thuhet në deklaratën për media të zotit Schwendiman.
Mëtutje ai thekson se është i inkurajuar nga finalja e votimit, pasi ai e sjellë Kosovën një hap më afër shqyrtimit, njëherë e përgjithmonë, të akuzave shumë serioze, që i përmban raporti i Këshillit të Evropës i janarit të vitit 2011.
Prokurori Schwendiman ka theksuar se procesi i krijimit të Dhomave Speciale dhe i Zyrës së Prokurorit Special ende nuk është i kompletuar, prandaj duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm, dhe në këtë kuadër, ai i inkurajon të gjithë aktorët e përfshirë ti vazhdojnë përpjekjet e tyre në mënyrë që ky mekanizëm gjyqësor mund të funksionoj sa më shpejtë që të jetë e mundur.