Presidentja Jahjaga sot takohet me Presidentin Nikoliq
Takimi është konfirmuar nga zyra e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Catherine Ashton i ka thirrur për në Bruksel, presidentin Tomisllav Nikoliq dhe presidenten Atifete Jahjaga, për takime më 6 shkurt, thuhet në një komunikatë të BE-së.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë presidenti, Tomisllav Nikoliç përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter.
Takimi i sotëm shënon edhe takimin e nivelit më të lartë ndërmjet dy vendeve që kur Kosova shpalli pavarësinë, pesë vjet më parë.
Ai shihet si mbështetje për bisedimet që po zhvillojnë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se ky është një takim i rëndësishëm për të diskutuar hapat e nevojshëm në kuadër të këtij procesi.
Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kociançiq, ka thënë se ky është një takim i rëndësishëm në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst është me rëndësi që të mbahet ky takim. Zonja Ashton do të bisedoj me të dy presidentët rreth asaj se si dhe cilët janë hapat e nevojshëm në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve, ka thënë Kociançiq.
Edhe zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu ka thënë se ky takim do të ndihmojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve.
Të dy presidentet do ti japin mbështetje dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e që udhëhiqet nga kryeministrat e qeverive të dyja shteteve e që ka për qëllim relaksimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Takimi do të ndihmoj në stabilitetin rajonal dhe do të përshpejtoj agjendën evropiane të Kosovës, ka thënë Vllahiu.
Në këtë takim pritet të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, ndërsa nuk pritet të ketë tema konkrete, por, siç vlerësohet në Beograd, qëllimi i takimit është pikërisht të vijë deri tek takimi.
Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, të cilat thirren në burime brenda BE-së, në këtë takim nuk pritet ndonjë marrëveshje, por se qëllimi është që në mënyrë simbolike të fuqizohet dialogu i cili po zhvillohet në rang të kryeministrave dhe të grupeve të ekspertëve.
Serbia pret që ky takim dhe takimet e mëtejme të ndikojnë që shteti të marrë edhe datën e fillimit të bisedimeve për integrimin në BE pasi ka kaluar një vit që nga marrja e statusit të vendit kandidat.
Ndërkaq, pas dy javësh pritet që të takohen kryeministrat Ivica Daçiç e Hashim Thaçi, për të vazhduar me dialogun, i cili dialog po shpenzohet nga Brukseli, me qëllim normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është njohur nga mbi 90 vende të botës, por është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.