Presidenti Thaçi pritet nga presidenti Fischer
Vjenë, 13 qershor - Agjencia e Lajmeve austriake APA ka shkruar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën do të jetë mysafir i presidentit aktual austriak, Heinz Fischeri, i cili është në fund të mandatit të vet.
Sipas APA-s, Thaçi në këtë vizitë shtetërore, do të pritet pasdite rreth orës 14:30 nga presidenti austriak, Fischer në Hofburg në një takim pune. APA-ja ka shkruar se Kosova është një rrëfim i suksesit, por ende një histori e papërfunduar. Kosova ka një rrugë të gjatë para vetës, megjithëkëtë, është në rrugë të mirë sa i takon rrugës së saj të integrimeve Euroatlantike. Për këtë është optimist edhe presidenti Thaçi, ka shkuar kjo agjenci.
Sipas APA-së, presidenti 48-vjeçar këtë e di më së miri, ngaqë vet ka luajtur një rol përcaktues në fillim të viteve të 90-ta në përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të arritur deri të pavarësia.
Agjencia ia ka bërë një profil presidenti të ri të Kosovës, duke thënë se me mbështetjen e shteteve perëndimore, Thaçi ka shpallur pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. APA-ja po ashtu ka shkruar edhe për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013. Gjithashtu kjo agjenci ka shkruar po ashtu edhe për kundërshtimin e opozitës kosovare si dhe për përpjekjet e Serbisë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.