09 Janar 2025

Presidenti Thaçi mori mbështetje nga republikanët për Kosovën

Washington, 13 janar - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përmbyllur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takoi zëvendëspresidentin Biden dhe senatorë e kongresmenë të shumtë demokratë dhe republikanë.
 
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, presidentit Thaçi i është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga zëvendëspresidenti Biden për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe integrimin e plotë euroatlantik.
 
Por, mbështetje për integrimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, presidentit Thaçi i është premtuar edhe nga senatorë e kongresmenë të partisë demokrate dhe asaj republikane.
 
Presidenti Thaçi në Uashington është takuar edhe me senatorin dhe ish-kandidatin republikan për president, Bob Dole, i cili ditë më parë u emërua zëvendësshef i ekipit transitor të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.
 
Në fokus të bisedës së presidentit Thaçi me senatorin Dole ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevoja që SHBA-ja të vazhdojë të luajë rol udhëheqës në të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë dhe në rajon.
 
Pas takimin me senatorin Dole, presidenti Thaçi u prit edhe nga presidenti i Këshillit Atlantik, Frederick Kempe, me të cilin bisedoi për aspiratën e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike.
 
Kreu i shtetit në Uashington u prit edhe nga senatori Bob Corker, i cili njëherësh është Kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.
 
Në këtë takim, senatori Corker i ka rikonfirmuar presidentit Thaçi përkrahjen e SHBA-së për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
 
Gjatë qëndrimit në SHBA, presidenti Thaçi takoi edhe ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, e cila ishte përkrahëse e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
 
Gjithashtu, presidenti Thaçi zhvilloi një takim edhe me ish-zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit dhe presidentin e “Brookings Institute”, Strobe Talbott.
 
Me tej, presidenti Thaçi takoi edhe anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmenin Eliot Engel, kurse pas tij edhe senatorin John McCain.
 
Me senatorin McCain, presidenti bisedoi për të gjitha zhvillimet në rajon dhe më gjerë, duke u përqendruar në nevojën që SHBA-ja të vazhdojë me rolin e saj udhëheqës në Kosovë.
 
Një takim të rëndësishëm, presidenti Thaçi kishte edhe me senatoren Joni Ernst nga shteti i Iowas, ku biseduan për bashkëpunimin mes Kosovës dhe shtetit të Iowas, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme të senatores Ernst në cilësinë e anëtares së Komitetit për Shërbimet e Armatosura në Senatin amerikan.
 
I pari i vendit në Uashington takoi edhe kongresmenen nga Teksasi, Sheila Jackson Lee, njëherësh anëtare e Komitetit për Siguri Kombëtare.
 
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime edhe me personalitete të tjera të jetës politike atje, kurse vizitën zyrtare e ka përmbyllur me ish-senatorin republikan, JimDeMint, që tash është president i “Heritage Foundation”, si dhe me kongresmenin Mike Turner, i cili njëherësh është Kryesues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)