Prelec: Shqetësimet rreth Gjykatës Speciale janë të gabuara
Washington, 19 maj - Drejtori i Grupit të Studimit të Politikave në Ballkan, Marko Prelec ka thënë së shqetësimet rreth ngritjes së Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë janë të gabuara.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai ka vlerësuar se ngritja e kësaj Gjykate po ndodh pasi institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arritur të trajtojnë disa nga akuzat për krime të bazuara në raportin e Dick Marty.
Së pari, nëse institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare si UNMIK-u dhe EULEX-i do të kishin bërë një punë më të mirë në sjelljen para drejtësisë të njerëzve të akuzuar për disa nga krimet që kanë krijuar bazën e raportit të Dick Marty, që janë krime reale që kanë prekur serbët dhe shqiptarët, ne sot nuk do të flisnim fare për këtë, ka thënë Prelec.
Së dyti, nuk ka arsye për të besuar se ka një ndryshim në ritmin e njohjeve për shkak të raportit të Dick Martyt ose përpjekjeve për të ngritur Gjykatën Speciale. Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë bërë atë për shkak të shqetësimeve të tyre të brendshme. Në disa raste këto vende ndeshen me lëvizje seperatiste brenda territorit të tyre dhe për këtë arsye nuk kanë njohur Kosovën. Vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, janë vende të cilat tradicionalisht kanë qenë aleate të Serbisë, tha ai.
Së treti Gjykata do të krijohet në një mënyrë apo tjetër. Është e qartë se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar është ngurtësuar. Tani gjuha e komunitetit ndërkombëtar është e qartë, nëse Kosova nuk e miraton ligjin për ngritjen e Gjykatës Speciale, atëherë Këshilli i Sigurimit të OKB-së do ta themelojë atë, ka thënë Prelec për Zërin e Amerikës.