Posselt: Kosova, kurrë më serbe
Berlin, 16 janar - Serbia nuk duhet ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, por duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thotë eurodeputeti gjerman i Partisë Kristiansociale, Bernd Posselt, gjatë një bisede për Deutsche Welle.
Lidhur me rezolutën e Parlamentit të Serbisë në të cilën thuhet se ky vend nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, Posselt tha se kjo rezolutë paraqet një pengesë shumë serioze por shtoi se bisedimet për zgjidhjen e çështjeve praktike të vazhdojnë.
Ai mendon se normalizimi është i mundur, duke marrë si shembull dy Gjermanitë.
Marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit, për shembull, është një hap konkret në drejtimin e duhur. Ne i mbështesim këto hapa. Të gjitha ato që po bën Serbia, një ditë mund t\\\'i kthehen si bumerang, sepse qëndrimet e Serbisë nuk janë aspak reale, theksoi Posselt.
Ai theksoi se pengesa më e madhe është fakti që Serbia gjithnjë po përpiqet që të rihapë çështjen e statusit të Kosovës dhe çështjet e tjera elementare, të cilat s\\\'kanë të bëjnë fare me këtë dialog.
Mendoj se Serbia po e dëmton vetveten tmerrësisht. Unë u kam thënë edhe politikanëve dhe mediave serbe, se ata po ndjekin një rrugë plot iluzione, sepse të gjithë e dinë: Kosova nuk do të jetë kurrë më serbe. Këtë e dinë në fakt edhe vetë serbët, të cilët me qëndrimet si ato në rezolutë po bllokojnë vetveten. Ata duhet të përqendrohen në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Kosovën duhet tua lënë kosovarëve, tha ai.
Duke komentuar kërkesën e Serbisë që veriu të ketë një autonomi të veçantë, Posselt këto kërkesa i konsideron si plotësisht absurde, duke vlerësuar se zgjidhja e statusit të pakicave në kushtetutën e Kosovës është zgjidhja më e mirë që ekziston në Evropë.
Ai foli edhe për situatën e krijuar së fundi në Luginën e Preshevës, dhe, siç tha ai, atje mund të ketë një shkallëzim shumë të rrezikshëm, në qoftë se nuk ndërmerren masat e duhura.
Komisioneri Fülle më tha sot gjatë një bisede se Presheva është absolutisht në qendër të vëmendjes së Komisionit Evropian dhe do të jetë pjesë e raportit të Komisionit të BE-së për gjendjen në Serbi. Serbia duhet të ketë shumë kujdes që të mos hapet një vatër e re krize, ka thënë Poselt, duke shtuar se Serbia do të ishte më mirë të kujdeset për minoritetet e veta se sa të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.