Policia italiane arreston 116 anëtarë të Ndrangheta-s
Kalabri, 5 korrik - Më shumë se 1 000 karabinierë morën pjesë në një operacion të gjerë kundër Ndrangheta-s, mafia më e fuqishme kalabreze, duke arrestuar 116 anëtarë mes të cilëve krerë të rëndësishëm të organizatës, njoftuan dje autoritetet italiane.
Karabinierët u mbështetën nga helikopterët, njësitë policore dhe specialistët në kërkimin e bunkerëve që mendohet se shërbejnë për fshehjen e krerëve të mafias.
Akuzat kryesore që rëndojnë ndaj tyre janë bashkëpunim kriminal mafioz, grabitje, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Rreth 24 familje mafioze të Kalabrisë, në jug të Italisë, ishin objektiv i këtij operacioni që mundësoi gjetjen e strukturave të tjera të Ndrangheta-s, përfshirë disa lloj \"gjykatash\" të supozuara për zgjidhjen e konflikteve të brendshme mes klaneve të ndryshme.
\"Ne kemi goditur krerët e familjeve më të rëndësishme, të gjithë drejtuesit\", deklaroi për shtypin, Federico Cafiero de Raho, prokuror i Reggio Calabria, kryeqyteti i rajonit.