Platforma për Kosovën, Beogradi pritet ta përfundojë gjatë javës
Beograd, 24 dhjetor - Beogradi zyrtar gjatë kësaj jave do të përfundojë platformën për Kosovën.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se do të merren parasysh dhe propozime të reja për platformën, si ide që janë dëgjuar gjatë bisedave me liderët e opozitës, përfaqësuesit e serbëve nga Kosova dhe brenda koalicionit qeverisës.
Sipas Daçiç platforma paraqet mënyrën se si Serbia mendon ta zgjidh problemin e Kosovës dhe se kjo nuk do të thotë se shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare ta pranojnë.
Unë e kam mendimin dhe qëndrim për atë, por pyetja është se sa mund të realizohet dhe se a mundem unë që mendimet e mia të jenë edhe qëndrimet e shtetit, kur bëhet fjalë për Kosovë, ka thënë Daçiç.
Sipas tij, Serbia nuk mund të bëjë hapa prapa me këtë platformë.
Serbia mund të marrë vendim edhe mos të hyjë në BE, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm për pasojat e atij vendimi. Ne edhe mund të themi se do ta kthejmë Kosovën në Kushtetutën tone, por le të mos kthehemi në politikën e vjetër të Millosheviçit. Unë u tërhoqa nga ajo politikë në vitin 2000″, ka thënë Daçiç.
Në platformën për Kosovën, përveç të tjerave Beogradi kërkon autonomi për komunat serbe në Kosovë. Ndërkohë Prishtinë zyrtare ka kritukuar ashpër një qëndrim të tillë. Sa i përket faktorit ndërkombëtar, SHBA kanë dalë hapur kundër platformës.
Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jakobson ka thënë se Platforma e Serbisë për Kosovën nuk është asgjë tjetërpos një copë letër. Por nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët edhe po e ndërmjetësojnë dialogun Prishtinë- Beograd vazhdojnë të jenë të heshtur.