Pittella: Njohja e Kosovës nuk është kusht për Serbinë në BE
Bruksel, 6 maj - Presidenti i grupit social-demokrat në Parlamentin e Evropës, Gianni Pittella ka thënë së formalisht, njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësim të Serbisë në BE.
Por, Pittella ka theksuar se shtetet anëtare të BE-së janë pajtuar që perspektivën e integrimeve evropiane të Kosovës dhe Serbisë ta lidhin me normalizim të marrëdhënieve mes tyre.
Për aq kohë sa normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është një kriter kyç për integrimin evropian të të dyja palëve, parlamenti i BE-së, së bashku me disa shtete anëtare, edhe më tutje mund të jetë i ndarë në qëndrime nëse normalizimi i marrëdhënieve duhet të përfshijë edhe njohjen reciproke diplomatike, ka theksuar Pittella për të përditshmen serbe, Politika.
Sipas tij, formalisht, njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësim.
\"Megjithatë, shtetet anëtare janë pajtuar që perspektivën e integrimit evropian të Serbisë dhe Kosovës ta lidhin me normalizim të marrëdhënieve mes vete. Kjo është rruga e duhur. E vetmja rrugë që mund të çojë drejt së ardhmes, e jo drejt së kaluarës, thekson ai.
Pittella ka vënë në pah se e ardhmja edhe e Kosovës e edhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian.
Në këtë bashkësi, në bashkësinë evropiane, kufijtë thjeshtë do të zhduken dhe do të ekzistojnë dy shtete që mund të jetojnë në paqe dhe të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Siç ka qenë rasti me Italinë, Slloveninë e Kroacinë, ka deklaruar ai.
Sipas tij, pa anëtarësimin e Ballkanit perëndimor në BE, procesi i euro-integrimeve nuk mund të cilësohet si i përmbyllur.