Përleshje mes protestuesve dhe deputetëve në Maqedoni
Shkup, 27 prill - Grupe protestuesish hynë në parlamentin e Maqedonisë të enjten duke sulmuar kryetarin e Lidhjes Social Demokrate pak pasi që partia e tij dhe partitë politike shqiptare votuan për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.
Sipas njoftimeve, 10 deri 15 deputetë të Lidhjes Social Demokrate kanë pësuar lëndime, përfshirë edhe kryetarin e saj Zoran Zaev. Po ashtu, njoftohet se kryetari i Lëvizjes për Reforma PDSH, Ziadin Sela është lënduar, ndërkohë që nuk dihet se në çgjendje është ai. Pamjet shfaqin Zaran Zaevin të përgjakur.
Deputetët e shumicës parlamentare dhe gazetarët janë të ngujuar brenda ndërtesës së parlamentit.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për qetësi dhe që policia maqedonase të kryejë punën e vetë, të ndërhyjë për të marrë situatën nën kontroll.
Komisionari i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn i dënoi ashpër sulmet kundër deputetëve. Dhuna NUK ka vend në parlament. Duhet hapur rrugën demokracisë, shkruan në Tëitter z. Hahn.
Ndërkohë, Ambasada amerikanë në Shkup u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës si dhe nga retorika dhe veprat të cilat mund ta përkeqësojnë gjendjen edhe më tepër. Është koha për dialog, jo për dhunë, thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane.
Ndërhyrja e protestuesve në parlament, net pasoi zgjedhjen e zotit Talat Xhaferi në postin e kryetarit të parlamentit nga shumica e re parlamentare por pa votat e VMRO-DPMNE-së.
Deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe të partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa, Aleanca për Shqiptarët nuk dolën nga salla e parlamentit pasi kryesuesi Trajko Velanovski e ndërpreu atë për ta vazhduar nesër dhe e votuan z. Xhaferi, një politikan, përfaqësues i BDI-së, për kryetar të ri.
Maqedonia është pa qeverisje funksionale që nga viti 2015, kur vendi hyri në krizë të thellë për shkak të aferës së përgjimeve që çoi në rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga VMRO-DPMNE.
Zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar nuk sollën edhe formimin e qeverisë meqë VMRO-DPMNE e drejtuar nga ish kryeministri nacionalist Nikola Gruevski, nuk siguroi votat e mjaftueshme, ndërsa presidenti George Ivanov nuk i dha mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, me gjithë faktin se ai siguroi shumicën me partitë politike shqiptare.
Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së u hodhën në protesta të përditshme për të kundërshtuar formimin e qeverisë nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare.