Parlamenti Europian sot diskuton raportin për Kosovën
Prishtinë, 23 janar - Në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian sot pasdite do të diskutohet për raportin për Kosovën, ndërsa të nesër në mëngjes do të votohet për këtë raport, si dhe për qindra amendamente që janë paraqitur rreth këtij raporti.
Diskutimi i parë për këtë raport ishte zhvilluar që në muajin nëntor të vitit të shkuar, ndërsa në mesin e dhjetorit ishin paraqitur mbi 200 amendamente nga deputetët e ndryshëm.
Në këtë raport të paraqitur nga raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, që është në formën e mocionit për rezolutë, Parlamenti Evropian pritet që qartë të refuzojë çfarëdo mundësie për ndarje të Kosovës, duke rikujtuar edhe në rezolutat e mëparshme të këtij Parlamenti, ku një ide e tillë ishte hedhur poshtë.
Parlamenti Evropian vazhdon të jetë institucioni i vetëm i BE-së i cili e trajton Kosovën si shtet të pavarur, megjithëse nga diplomacia serbe janë shtuar presionet që ky trajtim të ndryshojë dhe që Parlamenti, ashtu siç bëjnë Këshilli dhe Komisioni, të ketë një qëndrim neutral ndaj statusit, që do të thoshte të mos e trajtojë si shtet.
Por Raporti do të jetë mjaft kritik ndaj Kosovës, po ashtu duke rikujtuar në parregullsitë në zgjedhje dhe mosdënimin e përgjegjësve, dhe këtu përmenden fjalë të qarta mashtrime dhe parregullsi serioze e jo fjalë diplomatike si mangësi, që përmendet nga disa zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Kritikat e Parlamentit Evropian për mashtrime në zgjedhje duhet të merren seriozisht, sepse Parlamenti Evropian ishte i vetmi institucion i BE-së i cili kishte vëzhguesit në terren në Kosovë kur u regjistruan këto parregullsi