Parlamenti Europian miraton rezolutën për integrimin e Kosovës
Bruksel, 24 janar - Komiteti për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian (PE) sot ka miratuar projekt-rezoluten e hartuar nga eurodeputetja Ulrike Lunacek për integrimin europian të Kosovës.
Anëtarët e Komisionit votuan të 209 amendamentet e hartuara nga eurodeputetja Lunacek e cila është njëkohësisht edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian.
Rezoluta rikonfirmon që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave nëse do të përmbushë të gjitha kushtet.
Gjithashtu rezoluta përshendet edhe vendimin e dhjetorit të kaluar të Këshillit të BE-së i cili përcakton nisjen e dialogut për vizat pa paragjykim ndaj qëndrimit që kanë shtetet anëtare ndaj statusit të Kosovës.
Diskutimi i parë për këtë raport ishte zhvilluar që në muajin nëntor të vitit të shkuar, ndërsa në mesin e dhjetorit ishin paraqitur mbi 200 amendamente nga deputetët e ndryshëm.
Parlamenti Evropian vazhdon të jetë institucioni i vetëm i BE-së i cili e trajton Kosovën si shtet të pavarur, megjithëse nga diplomacia serbe janë shtuar presionet që ky trajtim të ndryshojë dhe që Parlamenti, ashtu siç bëjnë Këshilli dhe Komisioni, të ketë një qëndrim neutral ndaj statusit, që do të thoshte të mos e trajtojë si shtet.