Parlamenti Europian miraton rezolutë që dënon Vojislav Sheshelin
Bruksel, 29 nëntor - Parlamenti Evropian i bëri thirrje Serbisë që të marrë masat e duhura ndaj një serbi ultranacionalist për retorikën e tij të kohës së luftës.
Parlamenti miratoi një rezolutë që dënon me forcë Vojislav Sheshelin për atë që e quajti luftënxitje, nxitje të urrejtjes, dhe inkurajim i pretendimeve territoriale, në vazhdën e përpjekjeve për të devijuar Serbinë nga rrugëtimi i saj evropian.
Rezoluta i bën thirrje autoriteteve serbe të hetojnë sjelljen e Sheshelit dhe të ndërmarrin hapat e nevojshme në rast se ai ka shkelur ligjet kundër gjuhës së urrejtjes dhe komenteve të tjera të ngjashme.
Gjatë këtij muaji, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e liroi përkohësisht zotin Sheshel për tu kuruar nga kanceri pas pothuajse 12 vitesh paraburgimi.
Bashkimi Evropian u shpreh se që nga lirimi i tij më datë 12 nëntor, Shesheli ka bërë thirrje publike për krijimin e Serbisë së Madhe dhe shpalli pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje, përfshirë Kroacinë, e cila është vend anëtar i BE-së.
Akuzat ndaj 60-vjeçarit përfshijnë vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të qëllimshëm të fshatrave të banuara gjatë luftërave në Ballkan në vitet 90-të. Ai e ka deklaruar veten të pafajshëm, dhe vendimi i gjykatës ndërkombëtare nuk është marrë ende.
Ligjvënës kroatë kanë bërë thirrje që ai të rikthehet nën arrest për shkak përhapjes së urrejtes dhe intolerancës që nga momenti që u lirua.
Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç e kritikoi rezolutën e BE-së, duke konsideruar ofenduese për vendin dhe popullin e tij.