OKB bën thirrje për mbrojtjen e civilëve kundër IS-it
New York, 8 shtator - Kombet e Bashkuara i bënë thirrje të martën komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa të posaçme për të ndihmuar sirianët në rajonin Kobane të luftojnë kundër militantëve ekstremistë të IS.
I dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Staffan de Mistura, u shpreh se tani mbi 400 mijë banorë të qytetit Kobane në veri të Sirisë ndodhen të rrethuar nga militantët për tre javë.
\"Shumica e tyre janë kurdë, të cilët edhe pse zotërojnë vetëm armë të prapambetura, vazhdojnë rezistencën e fortë\", tha i dërguari i posaçëm i OKB-së për çështjen e Sirisë.
Mistura theksoi se Turqia ka strehuar 200 mijë refugjatë të këtij rajoni, por komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë më shumë masa për t\'i ndihmuar ata.
Po të martën, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u bëri thirrje vendeve perëndimore të ndërmarrin sulme tokësore ndaj IS-it. Ai propozoi gjithashtu që të krijohen zonat e ndalimit të fluturimit dhe të tamponit në krahinat kufitare midis Sirisë dhe Irakut.
Por qeveria irakiane e kundërshtoi futjen pa miratim të asnjë force ushtarake ndërkombëtare në territorin e vendit, duke insistuar se sovraniteti dhe tërësia territoriale të Irakut duhet të respektohen plotësisht