Obama, thirrje Britanisë së Madhe të qëndrojë në BE
Washington, 24 korrik - Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama tha për BBC-në se Mbretëria e Bashkuar duhet të qëndrojë në Bashkimin Europian në mënyrë që të vazhdojë të ketë ndikim në skenën botërore.
Presidenti amerikan e vlerësoi së tepërmi rolin e Britanisë së Madhe jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe më gjerë, duke e cilësuar atë si një nga partnerët më të mirë të SHBA-ve.
Qëndrimi i Britanisë së Madhe në BE na jep më shumë besim në lidhje me fuqinë e bashkimit transatlantik. Britania është një nga partnerët më të rëndësishëm të Amerikës në lidhje me gatishmërinë e saj përtej interesave vetjake, tha Obama.
Ai shtoi se Bashkimi Europian e ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme për ta bërë botën më të sigurt dhe të begatë.
Obama vlerësoi edhe punën e bërë deri tani nga qeveria Cameron për respektimin e objektivave të NATO-s për të shpenzuar 2% të GDP-së në fushën e mbrojtjes. Ndërsa mohoi të ketë ushtruar presion mbi Cameron për të përmbushur këtë objektiv. Megjithatë, ai tha se nuk kishte një bisedë të ndershme midis dy liderëve.
Ndërkohë, ai pranoi se dështimi për të kaluar ligjin mbi sigurinë e armëve në mënyrë konsensuale ishte një zhgënjim i madh për të. Që prej 11 shtatorit të 2001 nuk janë vrarë më shumë se 100 amerikanë nga terrorizmi, por nga luftimet e armatosura janë vrarë me dhjetëra mijëra dhe mos zgjidhja e kësaj çështje është tepër shqetësuese, tha Obama.
Presidenti amerikan foli për BBC-në nga Shtëpia e Bardhë, para nisjes për në Kenia, ku do të zhvillojë një turne të shkurtër në Afrikë