Obama me plan për të luftuar Shtetin Islamik
Washington, 8 shtator - Presidenti amerikan Barack Obama thotë se do të parashtrojë këtë javë planin për të përballuar kërcënimin që përbëjnë militantët e Shtetit Islamik.
Zoti Obama tha në programin Meet the Press të rrjetit televiziv NBC sot se do të takohet me udhëheqësit e kongresit të martën për të diskutuar këtë çështje. Ai ka në plan të mbaj një fjalim të mërkurën në prag të përvjetorit të 13-të sulmeve të 11 shtatorit.
Zoti Obama theksoi se nuk do të ketë njoftim për përfshirjen e trupave tokësore amerikane në luftime. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar dhe do të kryejnë sulme ajrore në mbështetje të trupave irakiane dhe kurde.
Presidenti tha se gjatë pak muajve vrulli i Shtetit Islamik do të jetë fashitur dhe territoret nën kontrollin e tyre do të pakësohen. Ai tha se grupi do të mposhtet.
Disa ligjvënës i kanë bërë thirrje presidentit të zgjerojë fushatën ajrore kundër grupit duke përfshirë objektiva në Siri.