Norvegjia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Oslo, 15 qershor - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e filloi vizitën e tij dyditore në Mbretërinë e Norvegjisë me një diskutim në tryezën e rrumbullakët në Institutin Norvegjez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (NUPI).
Zëvendëskryeministri Thaçi diskutoi me ekspertë norvegjezë për çështje kryesore në Kosovë, Ballkan dhe më gjerë. Ai e theksoi rolin pozitiv të Kosovë në arritjen e progresit në Ballkan.
Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, pati edhe një drekë pune me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Børge Brende, dhe ekipin e tij. Ata shtjelluan shumë çështje që ndërlidhen me progresin në Kosovë dhe rajon si dhe sfidat globale, si lufta kundër ekstremizmit.
Norvegjia me vite të tëra ka dhënë dhe po vazhdon ti japë ndihmë masive dhe mbështetje politike Republikës së Kosovës. U pajtuam për veprime të përbashkëta në fusha të ndryshme, me theks të posaçëm në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtarë, është shprehur Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi pati një takim edhe në parlamentin norvegjez, Stortinget, ku u takua me deputetë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe të Mbrojtjes, të cilët parashtruan pyetje të shumta për gjendjen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Aty prezantova të arriturat tona, sfidat dhe mundësitë për qytetarët tonë mu në këtë ditë kur në vendin tonë po e shënojmë edhe Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë Thaçi.
Gjatë vizitës së tij në Oslo, zëvendëskryeministri Thaçi ka dhënë një intervistë për portalin informative të institutit NUPI.