Njohja e Kosovës nga Greqia vjen sivjet!
Athinë, 17 gusht - Portali pan-evropian EurActiv ka botuar një artikull të radhës rreth zhvillimeve më të fundit në raportet mes Republikës së Kosovës dhe Greqisë.
EurActiv citon mediet serbe sipas të cilave njëri nga kushtet për marrjen e ndihmës financiare nga Perëndimin përfshin njohjen e Kosovës.
E përditshmja serbe Blic pohon se janë shfaqur indikacione të qarta se gjendja e rëndë financiare e Greqisë nënkupton se Kosova përbën një betejë të humbur për Serbinë.
Në artikull theksohet se shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me përjashtim Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Sipas burimeve të medieve serbe, Do të ishte një mrekulli që Greqia të mos e njohë Kosovën në muajt në vijim, e më së voni brenda një viti.
Nevojiten përpjekje serioze nga ana e diplomacisë serbe që Athina zyrtare të heqë dorë nga njohja e Kosovës, ose të paktën të shtyjë atë, Blic citon një burim anonim.
Analisti politik Dushan Janjiq është cituar të ketë thënë se njohja e Kosovës nga Greqia do të arrijë qysh në vjeshtë të këtij viti.
Ai u shpreh se Tsipras do të luajë në mënyrë pragmatike.
Ai do ta njohë Kosovën për të vonuar zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë. Për shkak të gjendjes së përkeqësuar në vend, ai nuk do të mund të zhvillojë politikat e tij. Ai do të duhet të bëjë lëshime, dhe, në këtë rast, kjo nënkupton njohjen e Kosovës.
Bashkimi Evropian do të mirëpriste njohjen e Kosovës nga Greqia dhe zgjidhjen e të ashtuquajturës mosmarrëveshje rreth emrit me Maqedoninë, gjë e cila, sipas zyrtarëve evropianë, e pengon përparimin e këtij vendi drejt BE-së.