Një delegacion i KPMSHCK bëri vizitë zyrtare në Turqi
Ankara, 4 qershor - Një delegacion i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë.
Delegacioni i Këshillit i kryesuar nga Lulzim Aliaj, Kryetar i Këshillit, u prit nga Kryetari i Kryesisë Shtetërore të Personelit, Mehmet Ali Kumbuzoglu.
Kryetari i Kryesisë Shtetërore të Personelit, Mehmet Ali Kumbuzoglu, e njoftoi delegacionin e Këshillit me kompetencat dhe përgjegjësitë e Kryesisë Shtetërore të Personelit për kryerjen e përgjegjësive në administrimin e rreth 3.5 milion nëpunësve të administratës publike, duke filluar që nga organizimi i provimit shtetëror e deri te vlerësimi i performancës së nëpunësve publik.
Në këtë takim, Kryetari i Këshillit Lulzim Aliaj, e falënderoi Kryetarin e Kryesisë Shtetërore të Personelit për mikpritjen dhe ofrimin e bashkëpunimit të nivelit më të lartë të mundshëm, si dhe e njoftoi me kompetencat dhe përgjegjësitë e Këshillit për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil dhe bashkëpunimin e Këshillit me institucionet e administratës publike në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua lidhur me hapat dhe veprimet e të dy palëve për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit dhe palët u dakorduan që ky memorandum të përgatitet dhe të nënshkruhet në një afat sa më të shpejtë të mundshëm në mënyrë që të përcaktohen pikat e përbashkëta për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive lidhur me funksionimin e administratës publike në fushëveprimin e institucioneve respektive.