Nishani vizitë shtetërore në Mal të Zi
Tiranë, 23 mars - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, po zhvillon një vizitë shtetërore në Republikën e Malit të Zi me ftesë të homologut të tij, Filip Vujanoviq.
Gjatë kësaj vizite dyditore, Nishani do të pritet në Cetinjë nga Presidenti malazez Vujanoviq me të cilin në fillim do të ketë një takim kokë më kokë, e më pas do të kryesojnë bisedimet dypalëshe të delegacioneve respektive.
Më tej, kreu i shtetit shqiptar do të ketë takime me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, si dhe me kryeministrin Milo Đukanoviq.
Agjenda e vizitës shtetërore të presidentit Nishani parashikon edhe disa takime në Komunën e Tuzit e të Ulqinit, në Tivar, si dhe një takim të veçantë me Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi.