Nishani: Pavarësia e Kosovës pati përkrahjen e diasporës
Nju Jork,, 9 maj - Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndodhet prej disa ditësh në New York për të nderuar rolin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nishani vizitoi kryeqytetin e New Yorkut, Albany, ku mori pjesë në një numër ceremonish solemne që kishte organizuar me këtë rast legjislatura e këtij shtetit.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e New Yorkut ai tha se në përfundim të luftës Shqipëria numëronte një numër disa herë më të madh hebrenjsh në territorin e saj, sesa në fillim të Luftës, dhe shihet si vendi i vetëm në Evropë që shënon një rekord të tillë.
Me këtë rast, të dyja dhomat e Asamblesë së New Yorkut miratuan një rezolutë për rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Po gjatë ditëve të qëndrimit atje presidentit Nishani iu dorëzua medalja e Nderit e Fondacionit ndërkombëtar Raul Wallenberg. Presidenti Nishani tha se ajo i takon të gjithë shqiptarëve, të cilët pa marrë në sy rrezikun strehuan dhe shpëtuan me qindra hebrenj gjatë luftës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Nishani foli edhe për Kosovën dhe diasporën shqiptare në SHBA.
Momentet e veçanta të historisë së kombit shqiptar, të çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj gjithashtu patën përkrahjen dhe angazhimin e diasporës shqiptare. Sot ka gjenerata të reja, të cilët jo vetëm janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës në Amerikë, por edhe pjesë e administratës në SHBA. Ne gjithmonë e kemi një obligim të rëndësishëm ta vëmë në dukje ekzistencën dhe aktivitetin e tyre, tha ai. /VoA/