Nis takimi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s
Budapest, 17 maj - Rusia dhe antiterrorizmi pritet të jenë në krye të agjendës së takimit treditor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që nisi të shtunën në kryeqytetin e Hungarisë Budapest.
Siguria në Europë është përkeqësuar ndjeshëm, për shkak të fluksit të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, vuri në dukje ministri hungarez i Mbrojtjes Csaba Hende duke folur para Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, një nga tre komitetet e mbledhura të shtunën.
Hende vuri në dukje se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit. Ai tha se Shteti Islamik përbën gjithashtu një kërcënim për Evropën, duke shtuar se Europa duhet të jetë e përgatitur për sulme të mundshme terroriste.
Ministri hungarez i Mbrojtjes Csaba Hende foli gjithashtu edhe për çështjen e vendit fqinj të Hungarisë, Ukrainës, duke vënë në dukje se konflikti i armatosur aty kishte shpërthyer në mënyrë të papritur dhe të paparashikueshme.
Të shtunën u zhvilluan te ashtu mbledhjet e Komitetit të Ekonomisë e Sigurisë dhe të Komitetit Shkencës dhe Teknologjisë. Komiteti i Përmasës Civile të Sigurisë dhe Komiteti Politik do të takohen të dielën, ndërsa e hëna do të jetë e rezervuar për një seancë plenare.