Nis rinumërimi i votave presidenciale në Michigan
Michigan, 6 dhjetor - Në Michigan ka nisur rinumërimi i votave presidenciale në dy qarqe, disa orë pasi Gjykata Federale urdhëroi nisjen e procesit. Janë rreth 4.8 milionë vota për tu rinumëruar.
Me rezultatin e parë republikani Donald Trump ka fituar në atë shtet me një diferencë prej 10 mijë e 704 votash ndaj demokrates Hillary Clinton.
Ndërsa secili kandidat ka marrë më shumë se 2.2 milionë vota në Michigan, kandidatja e Partisë së Gjelbër, Xhill Stein, mori vetëm 5 mijë e 500 vota.
Por edhe pse me këtë rezultat, ishte pikërisht kjo e fundit që kërkoi nisjen e një procesi rinumërimi.
Sipas saj, jo se rezultati ka gjasë të ndryshojë në favor të Partisë së Gjelbër, por do të sigurohet që numërimi ka qenë i rregullt dhe i saktë.
Nisma e Xhill Stein u mbështet edhe nga stafi i Hillary Clinton.