Nikoliç: Shqiptarët janë rrezik për rajonin
Beograd, 24 maj - Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, në një intervistë për agjensinë italiane të lajmeve ANSA, e cilësoi vepër terroriste e ideatorëve të Shqipërisë së Madhe rastin e Kumanovës dhe kërkon nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian një reagim më të fortë kundër kësaj ideje.
Sulmet terroriste, ashtu si edhe provokimet e delegacionit shqiptar në Beograd, janë një sinjal se i gjithë rajoni është në rrezik. Mendoj se ideja e Shqipërisë së Madhe duhet të shqetësojë të gjitha vendet që kanë popullsi të konsiderueshme shqiptare deklaroi Nikoliç për ANSA. Sipas Nikoliç, planet për Shqipërinë e Madhe datojnë që prej vitit 1978 me Lidhjen e Prizrenit që kishte si synim, sipas tij, shkëputjen e territoreve nga Serbia, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi, përmes metodave terroriste.
Është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar ti njohë këto aksione si të tilla, tha presidenti serb. I pyetur mbi orientimin e Beogradit në politikën e jashtme, Nikoliç tha se ai është i kristaltë dhe me synimin e qartë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Presidenti serb foli edhe për qëndrimin ndaj Rusisë dhe refuzimit të vendosjes së sanksioneve ekonomike ndaj Moskës për ndërhyrjen në Ukrainë.
Serbia është një vend sovran, që nuk mund të harrojë historinë, kulturën, por as interesat ekonomike aktuale. Serbia është e vendosur në rrugën e saj drejt integrimit në BE-së dhe për këtë ka implementuar edhe marrëveshjet me Prishtinën, tha Nikoliç, duke akuzuar më pas palën shqiptare në Kosovë për mungesë vullneti në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara me ndërmjetësimin e Brukselit.