New Yorku përpiqet të mëkëmbet nga Sandy
New York, 6 nëntor - Një milionë fëmijë të shkollave në New York rifilluan sot shkollën, një javë pasi superstuhia Sandy shkatërroi një pjesë të madhe të brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, por banorëve ju desh të qëndrojnë gjatë në trafik për të shkuar në punë dhe 1,4 milionë banorë vazhdojnë të jetë ende pa drita.
Edhe pse u bënë përpjekje të mëdha që banorët ti ktheheshin jetës normale këtë javë, mijëra banorë të New Yorkut dhe New Jerseyt ende janë pa shtëpi.
Shtëpitë e tyre u bënë të pabanueshme nga vërshimi i ujit gjatë stuhisë dhe disa të tjera u shkatërruan nga zjarri i shkaktuar nga era që përpiu një numër të madh banesash.
Kryetari i Bashkisë i New Yorkut, Michael Bloomberg, tha se stuhia i bëri 30 mijë deri në 40 mijë shtëpi të pabanuara. Autoritetet janë veçanërisht të shqetësuara për gjendjen e të pastrehëve, ndërsa temperaturat gjatë natës bien deri në afër 0 gradë.
Bloomberg ju bashkua sot NewYorkezëve, duke marrë metronë për të shkuar në punë. Rreth 80 për qind e trenave funksionojnë, por mbetet e mbyllur një linjë kryesore nën lumin Hudson që lidh qytetin me New Jerseyn.
Rreth 90 për qind e 1 mijë e 700 shkollave të qytetit u rihapën. Por rreth 100 prej tyre vazhojnë të jenë të mbyllura, ngaqë janë dëmtuar prej stuhisë, ose ngaqë janë shndërruar në strehime të emergjencës.